Reagimet e ashpra ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh për spastrim etnik të Kosovës në vitin 1998, kanë qenë në qendër të fjalimeve edhe në ditën e 47-të të revoltës përpara Kryeministrisë. Aktivisti Ilir Xhemalaj ka mbajtur një fjalim të fortë në bulevard, ku ka sulmuar ashpër qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe ka kërkuar masa të menjëhershme diplomacie.
Xhemalaj hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama për mungesë reagimi të shpejtë dhe zyrtar, ndërsa denoncoi edhe mbështetjen që ministrja serbe mori nga zyrtarët e tjerë në Beograd.
Aktivisti u shpreh se mbështetja e hapur e Ivica Daçiçit ndaj deklaratës për spastrimin etnik të shqiptarëve është e papranueshme dhe dëshmon nevojën për një reagim të prerë kombëtar.
“U bënë 72 orë dhe nuk kemi asnjë reagim nga qeveria shqiptare për ministren serbe që foli për spastrim etnik ndaj shqiptarëve. Ivica Daçiç, siovëllai i Ramës, tha që ajo ministre kishte të drejtë. Jo mor zotëri, ne jemi autoktonë aty!” deklaroi i revoltuar Xhemalaj në foltore.
Më tej, aktivisti Ilir Xhemalaj paralajmëroi se lëvizja qytetare dhe populli shqiptar nuk do të pranojnë më lëshime të asnjë natyre që cenojnë sovranitetin apo dinjitetin kombëtar, duke përsëritur thirrjen për shpalljen “non grata” të ministres serbe.
“Është hapur një kapitull i ri për Shqipërinë, i një Shqipërie që nuk përkulet, nuk fal, nuk jep më as det e as tokë askujt! Kërkojmë sërish shpalljen e saj non grata,” përfundoi fjalën e tij aktivisti mes duartrokitjeve të shumta të qytetarëve në bulevard.
