Në një lidhje live me News24, gazetari Ergys Gjençaj dha detaje nga ajo që ndodhi në Kuvend gjatë ditës së sotme. Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi sot Niko Peleshin si kryetar të ri me 84 vota pro.
Opozita bojkotoi masivisht votimin, ndërsa mbajti postera me figura si Aleks Soros dhe Charles McGonigal. Gjatë fjalës së tij, Peleshi bëri thirrje për bashkëpunim mes palëve, mes zhurmës së protestës dhe duartrokitjeve nga mazhoranca.
Në seancë u betuan 135 deputetë, ndërsa tre munguan dhe do betohen më vonë.
Gazetari Ergys Gjençaj: Kuvendi i Shqipërisë ka një kryetar të ri dhe ai është Niko Peleshi, që është zgjedhur me 84 vota. Tre vota ishin kundër kandidaturës së tij. Në pjesën e votimit, 99 përqind e deputetëve të opozitës nuk morën pjesë. Ata kishin postera në duar, ku shfaqeshin foto të Aleks Soros apo të Charles MCGonigal. I vetmi që mori pjesë në votim ishte Tritan Shehu, por vota e tij ka qenë kundër Peleshit.
Niko Peleshi bëri thirrje për bashkëpunim mes palëve. Fjala e Peleshit kaloi në një zhurmë, mes duartrokitjeve të mazhorancës dhe të protestës së opozitës. 135 deputetë janë betuar. Tre deputetë të opozitës nuk ishin pjesë e seancës parlamentare dhe betimin do e bëjnë në seancë tjetër. Tom Doshi dhe Sabina Jorgo dhanë dorëheqje.
