Eksperti i ekonomisë Pano Soko, në një intervistë me Skype në rubrikën “Çështja e Ditës” nga Klevin Muka në News24 ka komentuar skandalin e mikrokredive, pas arrestimeve të fundit nga Prokuroria. Soko theksoi se skandali ka ndodhur edhe nga neglizhenca. Sipas tij, ky skandal ka prekur shtresat e varfra të popullatës dhe ndaj është i rëndë. Sipas tij, shteti duhet të marrë më tepër përgjegjësi dhe të ketë rolin e kontrolluesit.

Pano Soko: Skandali i mikrokredive nisi në vitin 2015, kur Shqipëria nisi të njohë krizën e kredive të këqija. Kreditë e vogla i marrin persona që nuk kanë as 500 mijë lekë të vjetra. Të shkatërrosh edhe familjet e varfra është një tmerr. Ka pasur raste kur për 3 milionë janë marrë apartamente. Guvernatori tha se janë vetëm 85 ankesa dhe i janë dukur pak raste. Si nuk u shqetësua se ndoshta kjo gjë është kthyer në fenomen. Guvernatori është “roje” për administrimin e sistemit financiar në Shqipëri. Skandali ka ndodhur edhe për shkak të neglizhencës.

Kompanitë e mikrokredive masakruan familjet e varfra, kanë qenë rreth 103 mijë njerëz që janë prekur nga skema. Edhe ILD dhe KLGJ mbajnë përgjegjësi. MD ka përgjegjësi që është ushtruar terror ndaj njerëzve. Si ka sens kjo që të të marrë shtëpinë tjetri për 500 mijë lekë të vjetra? Një zgjidhje mund të ishte që personat që janë para drejtësisë të marrin atë që iu takon dhe për të krehur rastet nga masa e abuzimit. Shteti nuk duhet asesi të lejojë të tilla kompani që japin mikrokredi, pa asnjë kriter. Nëse unë e kam rrogën 700 mijë të vjetra, nuk mund të marr edhe këst 700 mijë lekë, se nuk kam çfarë të ha, shteti duhet të ketë rolin e vet rregullator.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb