Ish-deputeti i PD-së, Dashnor Sula, ka birësuar një qen, i cili ishte rrahur dhe u fut në qese plehrash së bashku me disa pula të ngordhura. Kjo ngjarje mendohet se ka ndodhur në lagjen Kiras të qytetit të Shkodrës.
Sipas raportimeve të mediave, dyshohet se kafsha kishte sulmuar disa pula, dhe pronari i këtyre të fundit vendosi ta ndëshkonte qenin në mënyrë çnjerëzore.
Vullnetarët e organizatës së mirënjohur “Animals Need Me” në Shkodër ishin të parët që e panë dhe reaguan.
Ata e gjetën qenin të futur në qese bashkë me pulat e ngordhura, ende gjallë.
Më tej ata e nxorën nga qesja dhe e nisën menjëherë drejt një klinike veterinare, ku mori ndihmën e parë.
Në atë moment, askush nuk e dinte se kjo vogëlushe, që më vonë do të merrte emrin Victoria, do të bëhej simbol i mbijetesës dhe i një historie adoptimi që lidh Shkodrën me Tiranën dhe botën politike.
Pas stabilizimit të gjendjes së saj, u vendos që Victoria të transferohej në Tiranë për trajtim më të thelluar.
Në klinikën veterinare në Tiranë, ka qenë vajza e ish-deputetit Paola Sula, ku dhe besohet se kjo e fundit ka informuar babain e saj për qenushin e braktisur.
