Pas ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Florenc Çapja është paraqitur sot përballë Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Trupi gjykues, me kryesuese gjyqtaren Irena Gjoka, pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për vijimin e ndalimit, ndërsa të pandehurit i rëndojnë disa akuza të rënda për krime të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Çapja akuzohet për “sigurimin e kushteve për vrasje” në bashkëpunim, si dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërkohë që hetimet ndaj tij vazhdojnë. Palët kanë të drejtë të apelojnë vendimin brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

NJOFTIM PËR MEDIAT
- Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.05.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrje në pyetje dhe verifikim i kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit dhe nevojave vijuese të caktimit të kësaj mase për të pandehurin Florenc Çapia”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 228, 229, 230, 238, 248, 249 dhe 466 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 45, datë 05.05.2025, vendosi:
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr. 42, datë 17.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Florenc ÇAPIA, i biri i F. dhe i Xh., i datëlindjes 13.03.1981, me shtetësi shqiptare, lindur dhe banues në ****, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i padënuar, I AKUZUAR: Për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit S.S, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
- Për ekzekutimin e ketij vendimi, ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët B.D dhe D.M.
- Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 05.05.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
