Policia e Shtetit ka finalizuar ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare. Ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 17.00 të kësaj të premte.

Çapja ndodhej në Dubai prej rreth 8 vitesh ku jetonte i pashqetësuar, ndërsa pas kthimit në Shqipëri do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin përjetë.

44-vjeçari Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas, i cili është kreu i një grupi të njohur kriminal në qytetin e Elbasanit, i cili ka pasur përplasje me grupin e një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit, Suel Çela.

Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.

Çapja është akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.

Florenc Çapja dhe xhaxhai i tij Ardian Çapja, i cili ndodhet aktuialisht në burg, janë dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit babë e bir në banesën e tyre në Elbasan në 2012.

Akuza ndaj tyre u bazua në dëshminë e Ervis Bardhit, që mban statusin e të penduarit të drejtësisë, i cili deklaroi se vrasja e babë e bir u porosit nga Ardian e Florenc Çapja për shumën e 50 mijë eurove,. Bardhi është dënuar 15 vite burgim. Olsi Leku që ka vepruar si ekzekutor është dënuar po ashtu përjetësisht, ndërsa Klajdi Dokolu dhe Etjen Cani janë cilësuar fajtor e dënuar me nga 25 vite burgim secili.

Pas dënimit, SPAK hetoi pasurinë e Çapjave dhe vendosur sekuestro mbi disa asete, ndërsa është duke hetuar nën dyshimet se pjesëtarët e këtij grupi janë të përfshirë në krime të rënda të ndodhura në Elbasan.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb