Hetimet për trupin e pajetë të një gruaje, i gjetur brenda një valixheje në zonën e Kypselit, në Athinë, kanë marrë një kthesë të re pas rezultateve të para të autopsisë, të cilat hedhin dritë mbi disa elemente të rëndësishme të çështjes, pa përcaktuar ende shkakun e saktë të vdekjes. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trup nuk janë konstatuar plagë të dukshme, shenja goditjesh, apo dëmtime të shkaktuara nga armë zjarri ose mjete prerëse. Ky konstatim përjashton, të paktën në këtë fazë të hetimeve, mundësinë që gruaja të jetë vrarë me armë ose thikë.

Autoritetet greke presin tashmë rezultatet e analizave toksikologjike dhe histologjike, të cilat pritet të jenë vendimtare për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes. Rasti u zbulua kur një person i pastrehë vuri re valixhen e braktisur në zonën e Kypselit dhe njoftoi policinë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e rendit dhe ekspertët kriminalistikë, të cilët nisën grumbullimin e provave dhe analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë për të identifikuar personin ose personat që e transportuan valixhen në atë vend.

Sipas autopsisë, gruaja kishte ndërruar jetë rreth pesë ditë para se trupi i saj të zbulohej. Dekompozimi i avancuar i trupit po e vështirëson punën e ekspertëve për të përcaktuar me saktësi mënyrën e vdekjes. Ekspertët vlerësojnë se viktima ishte rreth 30-35 vjeç, me gjatësi 1.61 metra dhe mbante këpucë me numër 36. Gjithashtu, autopsia tregon se ajo kishte konsumuar ushqim rreth një orë para se të vdiste.

Kontrolli i gjurmëve të gishtërinjve nuk solli asnjë rezultat në bazën e të dhënave të policisë greke, çka do të thotë se identiteti i saj nuk figuron në regjistrat zyrtarë. Ndërkohë, hetuesit e Drejtorisë së Sigurisë së Atikës po shqyrtojnë të gjitha rastet e fundit të grave të zhdukura, ndërsa analizat laboratorike dhe provat e mbledhura nga vendngjarja pritet të ndihmojnë në zbardhjen e një prej rasteve më misterioze të ditëve të fundit në Greqi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: