Zbardhet ekspertiza ligjore që përcakton shkakun e vdekjes së Gjergj Tushes, i cili u gjet dje i pajetë në Lezhë. Ekspertiza përcakton se plaga nuk është me armë zjarri, se ka dëmtime dhe thyerje të brinjëve dhe se ne kohën që mendohet se ka ndodhur ngjarja ka qenë me bagëtitë. Sakaq, po analizohet fakti se mund të jetë goditur nga demi që ruante, pasi në brirët e tij ka njolla gjaku.
Në dëshminë e saj edhe bashkëshortja ka pranuar se demi ishte i egër dhe se e kishte paralajmëruar të shoqin qe mund ta dëmtonte.
Njoftimi i policise
Lezhë
Përfundon ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e plagëve në trupin e shtetasit Gj. T., i cili u gjet i pajetë pasditen e djeshme, në afërsi të lumit Mat.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e 65-vjeçarit nuk janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo mjete prerëse.
Në vijim të informacionit të dhënë për gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit Gj. T., banues në fshatin Pllanë, Lezhë, në afërsi të lumit Mat, ku nga këqyrja paraprake u dyshua se në trupin e tij kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri, sqarojmë se:
Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pllanë, Njësia Administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, ku shtetasi Gj. T. ka qenë duke kullotur bagëtitë.
Grupi i posaçëm hetimor ka kryer një sërë veprimesh hetimore e procedurale, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, këqyrjen e pamjeve filmike, marrjen e deklarimeve, vendimet e ekspertimit, etj.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, dhe veçanërisht nga këqyrja e kufomës, ka rezultuar se dëmtimet e konstatuara në trupin e shtetasit Gj. T. nuk janë shkaktuar nga armë zjarri apo mjete prerëse.
U kryen veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje, e dyshuar aksidentale.
