Bashkia e Durrësit ka bërë reagimin e parë pasi punonjësi i komunales, Astrit Hysenaj humbi jetën nga përmbytjet që përfshinë vendin.
Sipas Bashkisë, Hysenaj kishte nisur punën në orën 6 të mëngjesit dhe rreth orës 10:30 është larguar.
Ndërsa në orën 16:30, vijon Bashkia e Durrësit, familjarët kanë ngritur alarmin se i afërmi i tyre nuk ishte kthyer në banesë.
Deklarata
Bashkia Durrës informon se punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.
Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë.
Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30.
Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit.
