Një stuhi e fuqishme dimërore që përfshiu Shtetet e Bashkuara nga Teksasi deri në Maine ka shkaktuar të paktën 38 viktima, përfshirë fëmijë, ka paralizuar transportin ajror dhe ka lënë mbi 400,000 familje dhe biznese pa energji elektrike.

Stuhia, e cila goditi SHBA gjatë fundjavës, solli temperatura ekstreme, reshje të dendura bore dhe akull, duke krijuar kaos në rrugë, anulime masive fluturimesh dhe ndërprerje të gjera të energjisë. Qytete të mëdha u mbuluan nga shtresa të trasha bore, ndërsa miliona qytetarë mbeten në gatishmëri për kushte të rënda.

Sipas një bilanci të përpiluar nga AFP, bazuar në të dhëna nga autoritetet dhe mediat lokale, viktimat kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve, motit ekstrem apo hipotermisë.

Në Teksas, tre fëmijë të moshës nga gjashtë deri në nëntë vjeç u gjetën të vdekur pasi ranë në një liqen të ngrirë.

Në Nju Jork, kryebashkiaku njoftoi se të paktën dhjetë persona u gjetën të vdekur në hapësira të jashtme, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e vdekjes. Temperaturat kanë rënë në nivele aq të ulëta sa lumi Hudson është ngrirë në disa zona.

Në Maine, shtatë nga tetë personat që ndodheshin në bordin e një aeroplani që u rrëzua gjatë ngritjes në mes të një stuhie dëbore humbën jetën.

Qindra mijëra pa energji elektrike
Ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike janë regjistruar kryesisht në jug të vendit, në Tenesi, Teksas, Misisipi dhe Luizianë. Sipas të dhënave të fundit, mëngjesin e së mërkurës mbi 400,000 familje dhe biznese mbetën pa energji elektrike, me situatën më kritike në Tenesi, Misisipi dhe Luizianë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të marrin masa mbrojtëse për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga i ftohti ekstrem.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb