Deputetes së pavarur australiane Helen Haynes i janë amputuar të dyja këmbët, pasi u godit nga një automjet jashtë zyrës së saj në qytetin Wangaratta. Policia po e heton ngjarjen si një sulm të qëllimshëm, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë. Bashkëshorti i saj, Phil Haynes, konfirmoi amputimin gjatë një konference për shtyp në Melbourne, ku deputetja po trajtohet. Ai e përshkroi ngjarjen si të tmerrshme, por theksoi se ajo mbetet e vendosur të shërohet.

“Zemra dhe mendja e saj janë në gjendje të mirë. Lajmi i mirë në të gjithë këtë është se ajo është gjallë”, tha ai. Sipas bashkëshortit, rikuperimi do të kërkojë kohë dhe përpjekje të mëdha. “Rruga drejt shërimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne e dimë se ajo është një luftëtare”, u shpreh Phil Haynes, duke falënderuar stafin mjekësor dhe të gjithë ata që kanë mbështetur familjen.

Ndërkohë, Brendan Nugent, 43 vjeç, i dyshuar se e goditi qëllimisht deputeten me makinën e tij, u paraqit të mërkurën për herë të parë në gjykatë. Ai u arrestua pak pas ngjarjes. Ndaj tij janë ngritur tri akuza, që lidhen me drejtimin e rrezikshëm të automjetit me pasojë lëndime të rënda, shkaktimin me dashje të lëndimeve të rënda dhe lëndimin e një zyrtari publik federal. Policia njoftoi se mund të shtohen edhe akuza të tjera, përfshirë tentativën e vrasjes.

Nugent nuk kërkoi lirim me kusht dhe pritet të paraqitet sërish në gjykatë në shkurt. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai përballet gjithashtu me akuza për kultivim dhe posedim kanabisi. Gjatë seancës, avokati deklaroi se klienti i tij ka probleme të shëndetit mendor, pa dhënë hollësi të tjera. Hetimet vijojnë nga Policia e Viktorias, me mbështetjen e Policisë Federale Australiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb