Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rubrikën “Sy më sy” në Facebook ndaj kritikave të qytetarëve mbi bonusin e pranverës që do të jepet për pensionistët. Një komentuese e pyeti Ramën pse u harxhuan shumë para për këtë bonus, dhe ai iu përgjigj duke e quajtur pyetjen ironike.

Kryeministri theksoi se çdo njeri dëshiron të ndihmojë prindërit e tij, por nuk mundet ta bëjë këtë për shkak të mundësive të kufizuara financiare. Ai e krahasoi këtë situatë me mundësinë e hyrjes në borxh, duke theksuar se, nëse do të merrte hua për të dhënë më shumë, pasojat do të ishin katastrofike, duke përfshirë humbjen e shtëpisë, njësoj siç ndodhi me piramidat.

Rama e vlerësoi bonusin si një “buqetë me lule dashurie dhe respekti” për pensionistët, duke shtuar se ata e dinë më mirë se kushdo përpjekjen për të ofruar këtë mbështetje, pas rritjes së të ardhurave për shkak të zgjerimit të ekonomisë. Kryeministri gjithashtu tha se pensionistët do të flasin për këtë bonus më 11 maj, duke kujtuar se në të kaluarën merrnin vetëm 1 bonus 3 mijë lekë.

Komentuesja: Pse u harxhuat kaq shumë?

Rama: Tani, në qoftë ironi e pranoj me keqardhje, keqardhje për ju Dhurata. Në qoftë keqardhje, unë ju pyes, a jepni dot ju prindërve tuaj më shumë lekë sesa ju keni mundësi nga çka fitoni nga puna? Patjetër që do donit t’ju jepnit shumë më shumë, kjo nuk diskutohet, por nuk u jepni dot se e dini mirë që duhet të hyni në borxh dhe e dini mirë që po të hyni në borxh për t”u dhënë sot më shumë, atëherë nesër, jo vetëm nuk do mund t’i jepni dot asgjë, por do humbni edhe shtëpinë tuaj, njësoj siç ndodhi me piramidat pra, është e njëjta llogjikë.

Kështu që e them përsëri, pensionistët e kuptojnë më mirë se të tërë vlerën e kësaj përpjekjeje të sinqertë dhe e dinë më mirë se kushdo që flet e nuk di se çfarë thotë në emër të tyre që bonusi i dytë brenda më pak se gjashtë muajsh, falë të ardhurave që u rritën mbi parashikimet si pasojë e zgjerimit të ekonomisë është një buqetë me lule dashurie, respekti, përulësie ndaj tyre dhe ta gëzojnë. Të tjerat ua thonë vetë pensionistët në 11 maj, siç ua kanë thënë edhe kur merrnin vetëm 1 bonus 3 mijë lekë në fundvit sepse ata dhe unë, në të paktën një gjë, jemi shumë njësoj, dimë kuptimin e fjalës punë dhe çmojmë vlerën e fjalës Shqipëri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb