Ura e fshatit Ketë në Klos u shemb me shirat e parë të vjeshtës, ndërsa u përurua 10 ditë më parë nga bashkia e qytetit. Për rrjedhojë, banorët kanë mbetur të izoluar, pasi kjo urë lidhte fshatin Ketë me Rrugën e Arbrit, duke pamundësuar kështu edhe dërgimin e fëmijëve në shkollë.
Ndërtimi i kësaj ure u kërkua me ngulm nga banorët e fshatit në dhjetor të vitit 2025, ndërsa punimet u realizuan nga kompania “Bajrami N sh.p.k” me zotëruese Anduena Bajramin, kurse për mbikëqyrjen e punimeve Bashkia Klos kishte kontraktuar kompaninë “TRIANGLE” me zotërues Zenulla Mehmetin.
Në total ndërtimi i urës së fshatit Ketë ka kushtuar rreth 40 milionë lekë, ndërsa shembja e saj ngre pikëpyetje të mëdha për procesin e kolaudimit të saj dhe për përdorimin e parave publike.
Po ashtu, kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola e ka cilësuar ndërtimin e urës në fshatin Ketë një investim me vlerë për komunitetin, ku përmes një postimi në rrjetet e saj sociale ditën e përurimit, garantonte infrastrukturë më të sigurt dhe funksionale që do të përmirësonte jetën e banorëve.
Por ky postim u fshi menjëherë, pas shembjes së urës 3 ditë më parë, ndërsa fakti vijon të mbetet përtej algoritmeve të rrjeteve sociale.
