Dy shtetas shqiptarë rrezikohen të dëbohen nga Britania e Madhe për rolin e tyre në prodhimin e më shumë se 1000 bimëve kanabis. Marjan Markaj dhe Pashko Malota u arrestuan për shkak të një bastisjeje në magazinë CB Furniture në rrugën Shaw, Great Lever, më 1 qershor.

Dyshja ranë dakord të kujdeseshin për fermën e kanabisit për të shlyer borxhin që kishin marrë për të emigruar në Mbretërinë e Bashkuar me kamionë disa vite më parë, tha Gjykata e Boltonit. Vetëm pak ditë përpara bastisjes, Markaj dhe Malota u dërguan në magazinën më kanabis dhe iu tha të qëndronin brenda saj me çdo kusht.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Prokurori Niamh Ingham tha se policia sekuestroi bimë kanabisi me një total prej më shumë se 60 kg drogë mes tyre, si dhe pothuajse 8 kg drogë që ishin vendosur nëpër thasë. Ata akuzuan Markajn dhe Malotën për prodhimin e një lënde të klasit B, akuza e cila u pranua nga dy shqiptarët.

30-vjeçari Markaj tha nga ana tjetër se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte ofertën e punës.
Gjykatësi Tom Gilbart pranoi se dyshja, të cilët nuk kanë asnjë dënim të mëparshëm, ishin punëtorë me pak ose aspak vetëdije për organizatën kriminale ku ata ishin punësuar. Ndërkohë, Malota, i cili pohoi se ka ish-gruan me kancer dhe dy fëmijë gjithashtu në Britaninë e Madhe, shtoi se “barra do i bjerë asaj për t’u kujdesur për fëmijët”.

Në përfundim të seancës, dy shqiptarët u dënuan me 20 muaj, ku gjysma e dënimit do të kryhet me burg dhe pjesa tjetër me garanci. Po ashtu ata u paralajmëruan se rrezikojnë të dënohen pas përfundimit të afatit të garancisë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb