Tre persona janë arrestuar nga Policia e Korçës pasi janë konfliktuar me dy shtetas dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë.

Bëhet me dije se janë proceduar edhe në gjendje të lirë shtatë persona të tjerë pasi kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, gjatë shoqërimit të tre shtetasve të arrestuar.

Njoftim i Policisë:

Më datë 18.08.2025, rreth orës 01:00, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen nr. 17, Korçë, në vendin ku ishte duke u zhvilluar Festa e Birrës. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Në vijim të veprimeve procedurale, janë shoqëruar në Komisariat, shtetasit A. M., S. M. dhe E. B., të përfshirë në konflikt, të cilët i kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.

Gjithashtu, gjatë shoqërimit të këtyre 3 shtetasve, punonjësit e Policisë janë kundërshtuar dhe penguar nga 7 shtetas të tjerë, shokë të shtetasve të arrestuar.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Korçës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, u arrestuan në flagrancë shtetasve A. M., 51 vjeç, S. M., 23 vjeç, dhe E. B., 40 vjeç, banues në Zëmblak, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit A. P., 21 vjeç, banues në Tiranë, A. P., 30 vjeç, banues në fshatin Kuç i Zi, B. H., 18 vjeç, D. M., 35 vjeç, G. B., 19 vjeç, L. M., 39 vjeç dhe Xh. H., 25 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb