Valës së protestave masive që ka përfshirë Tiranën dhe që dje shënoi ditën e saj të 17-të, po u bashkohen gjithnjë e më shumë emigrantë që po udhëtojnë nga jashtë kufijve. Një ndër ta është edhe mësuesi Donald Dervishi, i cili la SHBA-në ku jeton për t’u bërë pjesë e qëndresës qytetare në kryeqytet.

I ftuar në studion e News24, Dervishi ka treguar se si nisi organizimi i diasporës përtej oqeanit për të ngritur zërin kundër qeverisë në Tiranë.

Dervishi rrëfeu se sapo nisën protestat në Shqipëri, emigrantët në SHBA lëvizën me shpejtësi për të krijuar grupe organizatore, fillimisht në Nju Jork e më pas në Uashington, duke zhvilluar edhe një tubim përpara ambasadës shqiptare.

Si mësues i gjuhës dhe letërsisë, aktivizmi nuk është diçka e re për Donald Dervishin. Ai u shpreh se ka qenë një nga organizatorët e protestës historike kundër armëve kimike vite më parë, si dhe pjesëmarrës në protestën e studentëve në vitin 2018. Duke bërë një paralelizëm, ai u shpreh se sheh një dritë shprese te lëvizja e tanishme.

“Fatmirësisht kjo protestë tani është një sinjal që shqiptarët po kërkojnë që Shqipëria të ndryshojë. Nuk po themi të kopjojmë SHBA-në, por mund të marrim modele të suksesshme në Europë”, tha ai.

“Dua që vendi im të përmirësohet dhe të sigurojmë një jetesë të mirë për familjet tona. Dua që taksat që paguajmë të pasqyrohen në shërbime. Mos të lihen rrugët e Tiranës pa pastruar, se taksat në Tiranë paguhen për të pastruar mbeturinat. Unë kam vendosur të jap kontributin tim për Shqipërinë”, përfundoi Dervishi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb