Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën brenda opozitës, duke u ndalur veçanërisht te largimi i Ervin Salianjit nga lidershipi i PD.

Sula u shpreh kritik ndaj mënyrës se si po vepron opozita, duke e cilësuar të pakuptimtë përjashtimin e figurave nga partia, në një kohë kur PD pretendon të përfaqësojë opozitën e vërtetë. “A bën sens që pas gjithë asaj proteste që u bë dje, sapo shkuan te selia të përjashtonin Salianjin për t’u vetëshpallur opozita e vërtetë? Të kesh luksin të përjashtosh njerëz nga partia nuk bën sens,” tha Sula.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për izolimin ndërkombëtar të PD-së gjatë viteve të fundit. Sipas tij, që nga prilli i vitit 2022 e deri më sot, nuk ka pasur asnjë delegacion të Bashkimit Evropian apo përfaqësues ndërkombëtar që të vizitojë selinë e Partisë Demokratike. “Më gjeni një delegacion ndërkombëtar që ka shkuar në selinë e PD-së. Mirë apo keq, Basha ka qenë imazhi i marrëdhënies me ndërkombëtarët,” u shpreh ai.

Sula theksoi se partnerët ndërkombëtarë kanë dhënë sinjale të qarta për nevojën e rinovimit të opozitës. “Gjëja e parë që u thuhet është se, nëse nuk rinovoheni, do vazhdoni kështu. Ky është problemi,” tha ai.

Në përfundim, ish-deputeti paralajmëroi se, nëse lidershipi aktual i PD-së dhe rrethi i ngushtë përreth tij vazhdojnë me të njëjtën qasje, Partia Demokratike nuk do të arrijë të shndërrohet në një alternativë reale për pushtetin. “Unë e di që, nëse vazhdohet kështu, PD nuk është alternativë për vitin 2029,” përfundoi Sula.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb