Pavarësisht denoncimeve, gjobave dhe masave të vazhdueshme për drejtim mjeti dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, 57-vjeçari Nikoll Radaçi që lëvizte me shpejtësi të lartë dhe nën efektin e alkoolit nuk u ndal as nga tragjedia që shkaktoi. Shpejtësia e lartë me të cilën ai lëvizte me makinë në një zonë të populluar ndërpreu lojën e 3 të miturve dhe jetën e dy prej tyre, duke i përplasur brutalisht teksa po luanin në trotuar.

Nga pamjet e sigurisë dhe nga dëshmitë e banorëve, rezulton se 57-vjeçari Nikoll Radaçi pas aksidentit që shkaktoi u largua nga vendngjarja, pa e kthyer kokën pas për atë që shkaktoi, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Më tej, pas ngritjes së pikave të kontrollit në Durrës, u konstatua nga patrulla e Policisë, të cilët e ndaluan dhe vunë në pranga. Sipas Policisë së Durrësit, nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se Nikoll Radaçi e drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ku përqindja e alkoolit nga testi i parë rezultoi 0.73 mg/l dhe nga testi i dytë 0.70 mg/l, ndërsa iu mor edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

57-vjeçari Nikoll Radaçi banor i së njëjtës lagje me familjet e fëmijëve që aksidentoi, rezulton se është ndëshkuar në vitin 2020 për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022. Banorët e lagjes numër 15 në Durrës thanë për News24 se e kanë denoncuar disa herë 57-vjeçarin, për mënyrën sesi qarkullonte, duke u ndjerë të rrezikuar. Më e keqja ndodhi këtë të diel, kur për shkak të tij dy fëmijë 10 dhe 12 vjeç ndërruan jetë tragjikisht, ndërsa një 8-vjeçar, vëllai i njërit prej viktimave ndodhet ende në spital. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë të ditur se i mituri e ka kaluar rrezikun për jetën dhe do të transferohet në pavijon, ku do të trajtohet për plagët e marra, duke u bërë shpresë për prindërit e tij.

Policia e Durrësit bën të ditur se 57-vjeçari Nikoll Radaçi do të përballet me drejtësinë për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi:

Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb