Me shpalljen e emrave të rinj të qeverisë Rama 4, Igli Hasani nuk do të jetë më në krye të Ministrisë së Jashtme. Vendin e tij do ta zërë Elisa Spiropali.
Hasani ka falënderuar kryeministrin Ramna për besimin që i ka dhënë për të drejtuar Ministrinë e Jashtme. Ai ka uruar edhe Spiropalin për detyrën e re.
Postimi i Igli Hasanit:
Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim.
