Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i ka kthyer përgjigje negative Kosovës, për ankesën e bërë, sa i takon humbjes në tavolinë me Rumaninë në Nations League.
CAS ka lënë në fuqi vendimin e UEFA-s, me arsyetimin se largimi përpara kohe nga fusha është kundër rregullores.
“Paneli shqyrtoi provat dhe arriti në përfundim se lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës u mor për shkak të disa brohoritjeve. Ndërsa ato ishin të papranueshme dhe ishin subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga ekipi kombëtar i Kosovës. I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që duheshin ndërmarrë”, shkruan në vendimin e publikuar të hënën.
Kujtojmë se “Dardanët” u larguan nga fusha, për shkak të thirrjeve anti-shqiptare!
