Emisoni investigativ Vetting në News24

Amnistia ishte diçka e pritur, sidomos për drejtuesit e burgjeve dhe të sigurisë në këtë sektor, pasi, sipas tyre, amnistia pritet t’u japë frymëmarrje disa prej problematikave që ishin theksuar nga disa raporte të ndryshmeve të kontrolleve në burgje. Por, ajo që nisi si një “akt humanizmi”, prodhoi edhe paradoksin e fortë në betejën kundër korrupsionit, pasi mbi 100 persona të hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)  përfituan lirim.

Neni 75/a mbi kompetencat e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rendit kategoritë e funksionarëve që gjykohen nga gjykata e posacme dhe aty përmenden Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, të ILD, Kryetarët e Bashkive, Deputetët etj., të cilët në këtë amnisti nuk duhet të përfitojnë.

Sipas Ligjit të miratuar në Kuvend për Amistinë, përjashtohen nga vuajtja e dënimit jo vetëm burrat dhe gratë që janë dënuar përkatësisht për krime me dënime deri në katër dhe pesë vjet burgim respektivisht (sipas kritereve të renditura në ligj), por edhe të burgosurit burra që iu kanë mbetur katër vite burg dhe pesë vjet për  gratë. Mbi këtë llogari, u liruan 730 të burgosur.

Fasha e dytë e aplikimit të amnistisë është ajo e zbritjes së dënimit, nga e cila përfitojnë zbritje në dënim me dy vjet gratë dhe një vit e gjysmë burrat. Në këtë pikë llogaritet të fitojnë ulje të dënimit 1600 persona.

Parashikimi i tretë i vazhdimësisë së amnistisë përfshin ata të dënuar nga gjykatat me dënim alternativ si dhe me mbylljen e procedimeve penale në prokurori. Hetimet e pashqyrtuara apo nën proces shqyrtimi që do të “falen”, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, kanë si prag veprat e kryera deri në 31 mars 2024, si dhe ata që janë kallëzuar, hetuar apo janë nën gjykim për manifestimet e kryera deri më të njëjtën datë.

Drejtoria e Burgjeve nuk ka të dhëna për emrat e të burgosurve që do iu ulet dënimi – për burrat 1 vit e gjysmë dhe për gratë dy vjet nga dënimi i mbetur. Këta të fundit llogaritet te jenë rreth 1300 persona.

Edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm nuk kanë evidentuar cilët janë shtetasit që përjashtohen nga hetimet për veprat penale të kryera deri në datën 31 mars 2024, për krime që Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon dënime deri në dy vjet burg.

Nga ana tjetër, më shumë se 2200 të dënuar në shërbim prove, përfitojnë nga kjo amnisti. Shifra konfirmohet nga zyra juridike pranë Drejtorisë së Shërbimit të Provës. Edhe në këtë institucion lista mbahet ende sekrete.

Një investigim nga INA Media publikoi fakte se ish-kryetarë bashkie apo ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Tenderave, si ai i Uniformave të Policisë së Shtetit, dhe i dosjes së Bashkisë Lushnjë, që morën dënim alternativ, u liruan. Po kështu, ish zyrtarët në shërbim prove, që janë hetuar nga SPAK, gjithashtu pritet të përfitojnë nga kjo amnisti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: