Familjarët e Astrit Hysenajt, punonjës i mirëmbajtjes së rrugëve, që humbi jetën dy ditë më parë pasi e mori rrjedha e ujit, kërkojnë drejtësi.

Idajet dhe Osman Hysenaj, familjarë të viktimës nga fshati Arapaj, deklaruan se ai humbi jetën në krye të detyrës.

“Ai në mëngjes u nis për në punë, familja nuk ishte dakord duke i thënë që të mos ikte s është shumë shi, por ai kishte veshur uniformën dhe kishte ikur. Pasi kaloj ora që vinte çdo ditë në shtëpi, familja u shqetësua, por pritën deri nga ora 3-4 se thanë se mos e ka dërguar ndërmarrja në ndonjë vend tjetër, ku ka nevojë. Kur e panë që nuk erdhi, filluan kërkimet. Shkuan nëpër spitale, në kafe, ne vendet ku punonte, por nuk u gjend. Në darkë shkuan në polici, bën denoncimin. Ata thane që pas 24 orësh fillon procedura që të shpallet në kërkim. Me anë të disa kamerave, gjetëm qe deri në orën 8:25 e mëngjesit ai ka qenë duke punuar.

Siç e tregojnë edhe pamjet, ka qenë duke mbledhur letra në ujë. Pas kësaj ore nuk kemi informacion, mendojmë se e ka marrë rryma e ujit. Në mëngjes të ditës tjetër shkuam prapë në polici, erdhën palombarët në vendin që dyshonim ne. Shkuam në fund të derdhjes së këtij kanali, tek ura pranë reparti ushtarak te plepat, policia tha ke kishin parë një uniformë të punës së komunales, shkuam atje, e gjetëm më pas atje.

Ne kërkojmë që ai të njihet që ky ka rënë në krye të detyre, sipas pamjeve tona, në 08:25 ka qenë duke punuar. Ato që i takojnë sipas ligjit siç i takojnë. Ai atëherë është zhdukur. Nëse kanë pamje të kundërta të na e vërtetojnë. Ka lënë pas nënë 85 vjeç, nusen që është e pa punë dhe një djalë, që dhe ai është i papunë. Ata kanë mbetur me pensionin e nënës tani.”, tha Osman Hysenaj.

Astriti la pas gruan dhe djalin dhe nënën e tij 85 vjeçe. Sakaq, Idajet Hysenaj shtoi se: “Ishim në kërkim, po e kërkonim te shkarkimi i kanalit në bregdet, ishte dhe policia në këtë kohë. Policia na tha që e kemi gjetur në një zonë, atje e gjetëm me uniformën e punës. Është nisur për punë që nga 6 e mëngjesit dhe nuk u kthye më. Ne kërkojmë që t’i njihet ajo e drejta e punës ku ishte. Kjo është e vërteta. Nëse duan filmime jua japim edhe ne.”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: