Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka folur për situatën e brendshme në PD, në një kohë kur ai ka nisur një lëvizje me demokratët në mbarë vendin, ndërsa lidershipi e ka akuzuar se është vetëpërjashtuar.
Salianji ngriti shqetësimin se Partia Demokratike, pas 13 vitesh në opozitë, nuk po arrin të artikulojë dhe të shfrytëzojë politikisht skandalet e qeverisë, edhe kur ato vërtetohen nga drejtësia.
“Sa kohë të tjera duan ta thonë në PD të vërtetat që janë, se kemi 13 vite në opozitë. 80% e fjalës time në çdo takim është kundër qeverisë. Nuk dola për rreth tre javë dhe e lashë qëllimisht që të ndodhte kjo hataja ndaj qeverisë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar çështjeve të fundit të ndjekura nga SPAK, Salianji solli shembuj konkretë të asaj që ai e quan mungesë reagimi nga ana e opozitës.
“U mor e pandehur zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe PD atë ditë shpalli analizë në parti. U mor i pandehur Benet Beci, ndërsa PD nuk mban qëndrim sepse e ka pasur ish-drejtor të vetin. Cili është kontributi i PD në këto raste?”, tha Salianji.
Sipas tij, është SPAK ai që po ekspozon korrupsionin, ndërsa Partia Demokratike po dështon të shndërrojë këto zhvillime në kapital politik.
“SPAK po e vërteton se ka korrupsion, por demokratët kanë shqetësim pse PD nuk përfiton politikisht nga këto raste”, përfundoi Salianji, duke theksuar se kjo është një nga arsyet pse ka nisur lëvizjen e tij brenda partisë.
