Ish-ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Mal Berisha, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka ndarë një episod nga karriera e tij diplomatike, ku shërbimet inteligjente britanike janë përfshirë drejtpërdrejt në një çështje që lidhej me një vendim të shtetit shqiptar.

Berisha tregoi se gjatë kohës së tij si ambasador në Britaninë e Madhe, pati një moment kur autoritetet atje shprehën pakënaqësi për një veprim të ndërmarrë nga pala shqiptare.

“Gjatë punës time ka pasur një moment kur shërbimet angleze kanë qenë të pakënaqura me një veprim të shtetit shqiptar dhe më kanë thirrur. MI6 ka qenë e pakënaqur dhe në çdo ministri atje ka një zyrë që përfaqëson shërbimin e fshehtë,” u shpreh ai.

Sipas ish-ambasadorit, bëhej fjalë për një vendim të marrë në Shqipëri, i cili fillimisht nuk ishte pritur mirë nga pala britanike. Megjithatë, pas sqarimeve dhe paraqitjes së fakteve, qëndrimi i tyre ndryshoi.

“U mor një vendim në Shqipëri që nuk u pëlqeu. Kur më thirrën, më thanë: ju falënderojmë sepse nuk i kemi ditur këto fakte dhe ajo që ka bërë shteti shqiptar ka qenë në të mirë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Britaninë e Madhe,” rrëfeu Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb