Iu dha sot lamtumira e fundit mes dhimbjes dhe lotëve gazetarit e analistit të njohur Artur Zheji. Homazhet në nder të publicistit nisën këtë të hënë në orën 10:00 në ambientet e Universitetit të Arteve.

Dhjetëra miq, të njohur, kolegë, përfaqësues mediash e politikanë u përulën për ta nderuar në homazhet e mbajtura në hollin e Universitetit dhe e ndoqën në heshtje kalimin e fundit të tij.

Personalitete të botës së medias me të cilët ka bashkëpunuar përfshirë drejtuesit e News24 nderuan kujtimin e Artur Zhejit.

Familjarët ende të tronditur nga humbja e beftë në moshën 64-vjeçare e shoqëruan të përlotur. Figura politike vunë në dukje veçantitë e tij si publicist e kritik, sikundër kontributin e tij të çmuar për Kosovën.

Artur Zheji, 64 vjeç, u nda nga jeta para dy ditësh në Sarandë, ku ndodhej për pushime me familjen. Ai njihej si një nga figurat më të spikatura të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji ka shërbyer si drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe media të tjera, duke u bërë një nga zërat më të rëndësishëm të debatit publik në vend. Përveç rolit si gazetar dhe drejtues emisioni, ai ishte edhe editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë të thella në mendimin mediatik shqiptar.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i eruditit të njohur shqiptar Petro Zheji dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imami.

Gazetari Artur Zheji do të prehet në varrezat e Tufinës, në Tiranë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb