Prezantuesi i lajmeve në BBC, Hugh Edwards, ka dhënë dorëheqjen nëntë muaj pasi emri i tij u përfshi në një skandal që përfshinte fotografitë e pahijshme të një të mituri.

Sipas një njoftimi të BBC-së, “pas 40 vitesh shërbimi, Hugh shpjegoi se vendimi i tij ishte marrë në bazë të këshillave mjekësore”. BBC tha se e pranoi dorëheqjen pasi do t’i lejonte të gjitha palët “të ecin përpara ” dhe se nuk do të kishte komente të mëtejshme.

Sipas Sky News, gazetari 62-vjeçar u akuzua korrikun e kaluar se i kishte paguar një 17-vjeçari mbi 35,000 £ për t’i dërguar atij fotografi të pahijshme.

I riu në qendër të historisë tha në një letër drejtuar BBC-së, nëpërmjet avokatëve të tij, se asgjë e papërshtatshme apo e paligjshme nuk kishte ndodhur.

Në ditët pas publikimit të historisë për herë të parë, në rrjetet sociale pati spekulime intensive për identitetin e “prezantuesit anonim”. Gruaja e Edwards, Vicky Flint, më vonë konfirmoi se ai është njeriu në qendër të akuzave. Ajo tha në një deklaratë që lëshoi ​​në atë kohë se “vuajti nga probleme serioze të shëndetit mendor dhe po merrte trajtim spitalor”.

Edwards, prezantuesi kryesor i ‘BBC News At Ten’ që nga viti 2003, ka munguar në ekranet që kur shpërtheu skandali. Dorëheqja e tij i jep fund një karriere 40-vjeçare në BBC.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: