Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë Aleks Uka, i cili u plagos rëndë në një aksident të regjistruar në segmentin rrugor Fushë Arrëz–Bajram Curri, në fshatin Porav.

Ndonëse fillimisht u raportua për një përplasje mes një fuoristrade dhe mjetit të viktimës, verifikimet në terren kanë zbardhur dinamikën e vërtetë. Sipas informacioneve, Aleks Uka ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me murin anësor të rrugës. Automjeti tip fuoristradë nuk ka qenë i përfshirë në përplasje, por është ndalur në vendngjarje vetëm për t’i ofruar ndihmë të dëmtuarit.

Uka u transportua fillimisht në spitalin e Bajram Currit dhe më pas me helikopter drejt Tiranës, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Policia vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Pukë / Informacion paraprak

Rreth orës 08:45, në aksin rrugor “Fushë Arrëz–Fierzë”, dyshohet se janë përplasur automjeti me drejtues shtetasin K. H. dhe motomjeti me drejtues shtetasin A. U.

Si pasojë e aksidentit është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, shtetasi A. U., 37 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.

Me drejtuesin e automjetit, shtetasin K. H., 59 vjeç, po kryhen veprimet procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb