Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili e ka akuzuar se takimi i tij me demokratët është organizuar nga krimi i organizuar dhe konkretisht nga Suel Çela.
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, Salianji, i cili ka nisur një lëvizje me strukturat e PD-së në mbarë vendin, ndërsa lidershipi e ka shpallur “të vetëpërjashtuar”, tha se ndaj tij janë përdorur prej vitesh të gjitha mekanizmat shtetërore pa gjetur asnjë provë.
“Është përpjekur gjithë qeveria me prokurori, polici e të gjitha dhe nuk më kanë gjetur asgjë. Më hoqën mandatin e deputetit sepse i mundja, pasi nuk më gjenin dot akuza, më dënuan për fjalën. Në politikë ka përgjegjësi për fjalën. Mes kolegësh ka një kujdes. Thuhet një akuzë dhe mbahet. I është përgjigjur zotëria i Elbasanit, ka nxjerrë foto me këtë, atë që akuzoi. Me këtë njeriun që nxorrët ju”, u shpreh Salianji, duke iu referuar replikave në distancë mes Nokës dhe një prej organizatorëve të takimit në Elbasan.
Sipas ish-deputetit demokrat, e vetmja “lidhje” që ai ka është me denoncimin e grupeve kriminale.
“Unë kam vetëm një lidhje: denoncimin e çdo bande kriminale në vend. Jam denoncuesi më i madh i krimit. Unë jam drejtuesi i krimit të organizuar sipas gomarllëqeve. Qëllimi i gjithë këtij gomarllëku është të hiqet fokusi nga idetë. Ta zëmë se unë kam probleme, nxirre faktin dhe ta gjykojë publiku”, përfundoi ai.
