72 tigra kanë ngordhur javët e fundit në një kopsht zoologjik në Tajlandën veriore, pasi u infektuan me një virus shumë ngjitës të murtajës dhe me baktere që dëmtojnë sistemin e frymëmarrjes, njoftuan autoritetet lokale. Sipas Departamentit të Blegtorisë së Kafshëve në provincën Chiang Mai, testet laboratorike konfirmuan praninë e virusit, si dhe infeksioneve bakteriale të rënda që përkeqësuan gjendjen e kafshëve.
Gjitarët mishngrënës i përkisnin kopshtit zoologjik privat Tiger Kingdom, një park i njohur turistik ku vizitorët mund të “përqafojnë, prekin dhe bëjnë foto nga afër me tigrat”, sipas faqes zyrtare të tij. Deri tani nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga menaxhmenti i parkut lidhur me incidentin.
Kreu i Departamentit të Blegtorisë së Kafshëve deklaroi për një agjenci lokale lajmesh se diagnostikimi i hershëm ishte i vështirë. “Kur tigrat sëmuren, është më e vështirë të zbulohen sesa tek kafshët si macet ose qentë. Kur kuptuam se ishin të sëmurë, ishte tashmë tepër vonë”, tha ai.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve. Organizata PETA Asia deklaroi për AFP se “këta tigra ngordhën ashtu siç jetuan: në mjerim, robëri dhe frikë”, duke rikthyer në vëmendje debatet mbi kushtet e mbajtjes së kafshëve të egra në ambiente turistike. Autoritetet lokale kanë nisur hetime për të përcaktuar rrethanat e përhapjes së infeksionit dhe për të parandaluar raste të tjera të ngjashme.
