Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Eduart Reçi. BalkanWeb mëson se policia ka dyshime që edhe më datën 8 nëntor autori ka qëlluar, por plumbi nuk ka shënjestruar objektivin. Para pallatit të tij janë hedhur fishekzjarre dhe më pas është qëlluar me pushkë.
Prej ditësh ai ka vëzhguar objektivin deri në datën 13 nëntor të orës 22:40 minuta ku ka qëlluar drejt Reçit.
Pas arrestimit të tij dhe të vëllait policia ka ushtuar kontrolle në banesat dhe lokalin e tyre ku ka gjetur prova që i implikojnë, por ende nuk ka gjetur armën e krimit.
Detajet e ngjarjes, si u zbuluan autorët
Hetuesit kanë arritur të ndjekin gjurmët e dy vëllezërve, Shkëlqim dhe Florian Duka, të cilët dyshohet të jenë autorët e vrasjes së Reçit, pas një konflikti të gjatë mbi pronësinë e një trualli që ai po përgatitej të zhvillonte për ndërtimin e një pallati.
Sipas burimeve nga Policia, hetuesit realizuan një eksperiment hetimor për të përcaktuar pozicionin e mundshëm nga ku mund të ishte qëlluar biznesmeni, si dhe drejtimin e plumbit. Ky hulumtim ka qenë një hap kyç për të ngushtuar hetimet dhe për të identifikuar burimin e plumbit që shkaktoi vdekjen e Reçit. Pas analizës së këtyre elementeve, hetuesit kanë arritur të kryejnë një hetim të detajuar mbi vendndodhjen e autorëve të dyshuar.
Në vijim të hetimeve, policia ka shqyrtuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja, duke zbuluar prova të rëndësishme që çuan në ndjekjen e vëllezërve Duka. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe lokalin e tyre, që ndodhen afër vendit të ngjarjes, u sekuestruan prova të tjera materiale që mbështesin dyshimet për përfshirjen e tyre në ngjarjen kriminale.
Për më tepër, hetuesit zbuluan se vëllezërit Duka kishin pasur një konflikt të hapur me Eduart Reçin lidhur me pronësinë e truallit ku ai po planifikonte ndërtimin e pallatit.
Pas realizimit të një sërë veprimesh hetimore dhe kontrolli të dokumenteve, dy vëllezërit Duka u arrestuan dhe janë vënë në pranga me akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje armësh”.
(BalkanWeb)