Plagosja e një të riu në bulevardin e Sarandës në 19.12.2016 vazhdon ende sot të mos ketë asnjë autor të dënuar edhe pse ata janë të identifikuar. Për plagosjen e Xh. H, në atë kohë 26-vjeç, policia identifikoi vëllezerit Arbër dhe Enrison Abazi dhe ndaj tyre Gjykata në 30.12.2016 caktoi “Arrest në burg” ne mungese, por qe prej asaj dite askush nuk është dënuar për ngjarjen. Në Gjykatën e Sarandës u rregjistrua çështja qysh më 20.07.2017 e që prej asaj datë seancat gjyqësore shtyhet pambarimisht duke e kthyer në precedent të çuditshëm. Janë zhvilluar deri tani rreth 90 seanca gjyqësore dhe e radhës është parashikuar të jetë në 24 shkurt, nën drejtimin e Gjyqtares Suela Xhani.
Gjatë këtyre viteve policia arriti të kapë vetëm Enrison Abazin gjatë një operacioni në Tiranë në prill 2019, por Gjykata e Sarandës e la atë të lirë duke e ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”, pasi prokuroria e kishte ndryshuar cilësimin e plagosjes nga e “rëndë” në të “lehtë” edhe pse viktima u qëllua nga dy vëllezerit me armë, thikë dhe shkop bejsbolli. Në fakt Abazi u arrestua sërish më vonë për thyerje të masës së sigurisë pasi u kap jashtë banesës, por pas disa kohësh qëndrimi në qeli, serish doli i lirë. Në kërkim mbetet prej asaj dite Arbër Abazi, i cili gjatë procesit gjyqësor rezultoi të ketë ndërruar emrin në Sokol Kristjani. Abazi rreth 15 vite më parë u dënua në Gjermani për vrasjen me thikë të shokut të tij të dhomës, nipit të humoristit Koço Devole ndërkohe që në shkurt 2012 plagosi me thikë në Sarandë shtetasin K. M.
Sipas dosjes hetimore lidhur me plagosjen e të riut Xh.H., ai është goditur gjatë kohës që ishte duke shëtitur me biçikletë në shëtitoren e qytetit, kur drejt tij ka shkuar Enrison Abazi dhe e ka goditur në kokë me një shkop bejsbolli. Pas kësaj drejt tij ka shkuar edhe vëllai i tij, Arbër Abazi, i cili e ka goditur në këmbën e djathtë, me armë zjarri të llojit pistoletë. Njëkohësisht Arbër Abazi, e ka goditur dhe me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Së bashku me ta ka qenë edhe një person tjetër që e ka goditur me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit.
“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, nga Policia gjyqësore është konstatuar dhe më pas sekuestruar me cilësinë e provës materiale një gëzhojë fisheku arme zjarri me ngjyrë bakri, në formë cilindrike me kanale unazore, e kalibrit 6.35 mm, e llojit “makirofkë”-“G.F.L-6.35”, një predhë fisheku arme zjarri me ngjyrë bakri, me maj në formë të rrumbullakët e padëmtuar, pa shenjë të “viaskave” dhe disa njolla gjaku”, shprehet prokuroria ne dosjen hetimore.
E megjithë ngjarjen e rendë, Gjyqi në ngarkim të dy vëllezërve vazhdon për veprat penale “plagosje e lehtë me dashje” dhe “mbajtje pa leje te armëve luftarake”.
(BalkanWeb)
