Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka njoftuar se Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur në sy gjatë protestave studentore në Tiranë, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.

Sipas ministres, ndërhyrja e kryer nga profesori Stanislao Rizzo arriti të shpëtonte syrin e të riut. Megjithatë, rrugëtimi drejt rikuperimit të plotë do të vijojë, ndërsa mjekët do të ndjekin ecurinë e tij shëndetësore.

Vishkulli mbeti i plagosur në syrin e majtë pasi u godit me plumb gome gjatë protestave studentore në kryeqytet. Fillimisht, ai mori trajtim mjekësor në Shqipëri, por për shkak të kompleksitetit të dëmtimit u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.

Përmes një reagimi publik, Spahiu bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar mbështetjen financiare për trajtimin e 28-vjeçarit. Ministrja falënderoi ekipin mjekësor në Romë për ndërhyrjen, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar.

“Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën ‘Gemelli’ në Romë, e cila e ka shpëtuar syrin e djalit”, shkruan Spahiu.

Ministrja bëri të ditur se, në emër të saj dhe të qeverisë shqiptare, kishte falënderuar profesor Stanislao Rizzon për ndërhyrjen e suksesshme, ndërsa theksoi se mbështetja financiare për Erjonin u miratua po atë ditë.

“Përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave te humanizmi që i bën kaq të veçanta këto situata”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Spahiu i uroi të riut shërim të shpejtë dhe forcë për të përballuar fazat e mëtejshme të rikuperimit.

“Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim”, përfundoi ministrja, duke shprehur mirënjohje për mjekun italian dhe duke përgëzuar familjen e miqtë e të riut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb