Gazetarja Rixana Guzman, e cila u rrëmbye nga dy persona të armatosur nga shtëpia e saj në Meksikë në fillim të qershorit, është gjetur e vdekur, thanë autoritetet në shtetin e Veracruz.
Rrëmbimi i saj u kap në një video rrëqethëse 35-sekondëshe, e cila tregon një burrë që troket në derën e saj me një levë, i ndjekur nga një burrë i dytë i armatosur me një pushkë, i cili e hap atë me shqelm. Sapo sulmuesit hyjnë në shtëpi, regjistrimi ndalet.
Trupi i Guzmán u gjet disa ditë më parë në një shtëpi dhe u identifikua, sipas zyrës së prokurorit të Veracruz.
Gazetarja drejtonte një media dixhitale në zonë dhe transmetonte lajme dhe raporte nga komuniteti i Nanchital, shtëpi e rreth 30,000 banorëve, në Facebook. Veracruz konsiderohet si një nga shtetet më të rrezikshme në Meksikë për punonjësit e shtypit.
Tetë persona janë arrestuar me akuzën e vrasjes në këtë rast, përfshirë katër burra që shërbenin si oficerë të policisë bashkiake në kohën e krimit.
Sipas zyrës së prokurorit, oficerët dyshohet se i kanë siguruar “burime, ushqim dhe mbështetje logjistike” organizatës kriminale që rrëmbeu gazetaren..
Raportuesi Special për Lirinë e Shprehjes i Komisionit Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut dënoi vrasjen dhe u bëri thirrje autoriteteve meksikane të vazhdojnë hetimin.
Reporterët pa Kufij (RSF) denoncuan “dështimin e autoriteteve për të mbrojtur shtypin” dhe kërkuan një shpjegim pse Guzmán nuk mundi të gjendej gjallë.
Meksika mbetet një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, me RSF që regjistron më shumë se 150 punonjës të medias të vrarë që nga viti 1994. Vetëm në këtë rajon, edhe dy gazetarë të tjerë janë vrarë gjatë këtij viti.
