Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ka zbuluar se ka dyshime se një emër i botës së krimit është përfshirë në eliminimet e Brilant dhe Ervis Martinajt duke qenë pjesë e një aleance të madhe të grupeve kriminale në vend.

Pa përmendur emrin, ai tregoi se ai është shfaqur për herë të parë në arratisjen nga burgu të Admir Tafilit, kur ka qenë vetëm 19 vjeç dhe nuk ka qenë shumë i njohur deri në eliminimin e Brilant dhe Ervis Martinajt.

Sipas tij, nëse ky emër do jetë i përfshirë në këtë mozaik do plotësonte gjithë kuadrin e dyshimeve lidhur me eliminimet e tyre.

“Ky është një hetim i cili e ka fillimin te procedimi 59 i vitit 2022, që nis nga zhdukja e Ervis Martinajt. Unë i qëndroj versionit që është rrëmbyer, ekzekutuar dhe kufoma është zhdukur, Policia ka kërkuar 2 muaj me polumbarë në det dhe më pas është kërkuar për 3 muaj në tokë pasi mendohet se kufoma e tij është në një rreze prej 3 km larg Fushë Kuqes.

Për mua, e gjithë kjo panoramë e ka zanafillën nga Ervis Martinaj. Nëse aty do ketë edhe një emër që ne e kemi përmendur shumë rrallë, ky vepron zakonisht rreth Kamzës, por është shfaqur në arratisjen nga burgu të Admir Tafilit, kur ka qenë vetëm 19 vjeç. Nuk ka qenë shumë i njohur deri në eliminimin e Brilant dhe Ervis Martinajt. Nëse ky emër do jetë i përfshirë në këtë mozaik do plotësonte gjithë kuadrin dhe do kishim një aleancë të madhe të grupeve kriminale që ishin edhe armiq edhe aleatë, madje janë bërë prapë armiq pasi është zhdukur Ervis Martinaj. Gjithë ky pazëll që është krijuar, këto grupe për shkak të interesave janë bashkuar, edhe me interesa politike, dhe kanë realizuar eliminimin e Ervis Martinajt dhe organizatës së tij. Ndaj është kontrolluar edhe shtëpia e Ervis Martinajt”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb