Deputeti Saimir Korreshi, ka denoncuar situatën në Spitalin e Lushnjës, duke akuzuar drejtuesit për dështime dhe emërime të pajustifikuara.
Sipas tij, drejtori aktual ishte shkarkuar 6 muaj para emërimit për mospërmbushjen e detyrave me korrektësi, por më pas u gradua në krye të institucionit. Korreshi ngre pikëpyetje edhe për lejen e ndërtimit, zhvendosjen e Urgjencës dhe ristrukturimin e një godine që është më e reja në spital, ndërsa Materniteti dhe Pediatria mbeten jashtë ndërhyrjes.
Deputeti e cilëson situatën si “tallje me lushnjarët” dhe kërkon transparencë për gjendjen në spital.
Reagimi i plotë:
E po kësaj i thonë: deshët nën/Drejtor Ekonomik, ta gëzoni Drejtorin.
Drejtori i Spitalit të Lushnjës, 6 muaj përpara se ta emëronin Drejtor, është shkarkuar. Urdhri në foto e tregon qartë. Lexoni pikën 5 të urdhrit: “Për shkak të mospërmbushjes me korrektësi të detyrave funksionale… të cilat kanë krijuar probleme për mosfunksionimin e institucionit…”
Por meqë ishte i dalluar për mosfunksionim, atëherë e graduan dhe sot vazhdon të jetë Drejtor!
Hajde gallatë, hajde.
Prandaj edhe Spitali ka përfunduar në atë farë feje. Skëterrë.

Po pse u desh të flisja unë që të jepej leja e ndërtimit?
Po pse, pa leje ndërtimi, u zhvendosën si Urgjenca ashtu edhe repartet e patologjisë?
Po a u thoni dot lushnjarëve se godina që do të ristrukturohet është më e reja në atë spital?
Po a u thoni se nuk do të ristrukturohen as Materniteti dhe as Pediatria, por vetëm një godinë? Për të mos folur pastaj për situatën te banka e gjakut.
A quhet tallje me lushnjarët?
