Arratisja e bujshme e të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit ka nxjerrë në pah probleme serioze në zbatimin e procedurave të sigurisë, deklaroi eksperti i sigurisë Faik Basha, i ftuar në studion e News24.

Sipas Bashës, një arratisje e tillë nuk është e rastësishme dhe zakonisht paraprihet nga një përgatitje e gjatë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit. “Përgatitja për një arratisje fillon nga ndryshimi i mënyrës së jetesës së të burgosurit. Ai rrit aktivitetin fizik dhe ka sjellje që vetëm punonjësit e burgut mund t’i dallojnë,” u shpreh ai.

Basha theksoi se organet kompetente duhet të kryejnë një analizë të detajuar të dinamikës së ditës së arratisjes, pasi në këtë rast janë konstatuar shkelje serioze të protokolleve. Sipas tij, drejtoria e burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë tashmë kanë marrë masa, duke përjashtuar nga detyra drejtorin e burgut të Durrësit, çka tregon se ka pasur degradim të nivelit të sigurisë.

Eksperti renditi disa nga shkeljet kryesore të procedurës, duke përfshirë mënyrën e planifikimit të vizitës mjekësore dhe shoqërimin e të paraburgosurit. “Ai është lëvizur pa pranga dhe pa pranga të gjata. Prangat hiqen vetëm në prani të mjekut dhe punonjësi i sigurisë duhet të qëndrojë brenda gjatë gjithë kohës së vizitës,” deklaroi Basha.

Sipas protokolleve, tha ai, për çdo transferim duhet të bëhet analizë risku dhe të njoftohet komisariati përkatës, i cili duhet të sigurojë edhe një automjet shoqërues për ambulancën e burgut. Po ashtu, i paraburgosuri duhet të mbahet i shoqëruar nga dy punonjës, ndërsa mjeku duhet të japë sinjal kur dhoma është e sigurt dhe pa persona të tjerë.

“Procedurat parashikojnë të paktën tre punonjës sigurie dhe një shofer. Në këtë rast ka pasur disa neglizhenca të rënda në kryerjen e detyrës. Është e pafalshme që një i paraburgosur i tillë të dalë nga institucioni pa u njoftuar organet kompetente,” përfundoi Basha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb