Pamjet që shihni tregojnë se si hidhet në erë një ndërtesë shumëkatëshe në qendër të Bejrut, pasi u bë shënjestër e një sulmi ajror të kryer nga forcat izraelite.

Objekti 22-katësh në zonën e Basrës u godit drejtpërdrejt dhe u rrëzua plotësisht si pasojë e bombardimeve.

Raportimet bëjnë me dije se ushtria izraelite kishte paralajmëruar banorët e zonës për evakuim rreth një orë para sulmit, çka mundësoi largimin e civilëve nga ndërtesa dhe rrethinat e saj.

Burime të ndryshme theksojnë se kjo ishte hera e katërt që objekti në fjalë vihej në shënjestër. Tre sulmet e mëparshme u zhvilluan më 12 mars, pasi Hezbollah dyshohej se e përdorte ndërtesën për ruajtjen e fondeve me qëllim financimin e aktiviteteve të tij ushtarake.

Ndërtesa e shembur ndodhej pranë zyrës së kryeministrit libanez dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb