Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje sërish do të dështojë të formojë qeverinë e re.

Ai tha se mandatari për kryeministër nga kjo parti, Glauk Konjufca, s’i ka numrat dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi në konferencë për media të mërkurën, tha se deri tani Konjufca s’ka pasur asnjë kontakt apo kërkesë për t’i mbështetur për të krijuar shumicën parlamentare.

Konjufca, pas mandatimit për kryeministër nga presidentja Osmani, ka kohë deri më 19 nëntor të kërkojë votëbesimin në Kuvendin e Kosovës. Albin Kurti ka dështuar me 26 tetor të formojë qeverinë e re.

“Kërkesa ime ka qenë që ata të nesërmen ta ftojnë seancën, pasi sikur ta kishin ftuar të nesërmen apo më 19, kur është afati i fundit, rezultati dihet, pasi kanë me dështuar. S’ka mundësi që të krijojë një qeveri të re Lëvizja Vetëvendosje. Rrjedhimisht, po shkojmë drejt zgjedhjeve, por sa më herët do të kishte qenë më mirë, vetëm se tash mbetet çështje e afateve kushtetuese. S’ka pasur kontakte, kërkesa. Dihet botërisht se ata kanë marrë për ta zvarritur kohën në funksion të balotazhit, për të krijuar një mjegull kinse kemi një shans, por që realisht edhe ata e dinë se s’kanë asnjë shans me bërë Konjufcën kryeministër”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb