Pasi hoqi dorë nga kandidimi për një mandat të dytë, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, është nisur për një vizitë zyrtare katërditore në Shqipëri

Mediat amerikane raportojnë se vizita u bë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe sipas zëdhënëses së Bashkisë së Nju Jorkut, Kayla Mamelak, nuk bëhet fjalë për një udhëtim personal, por për një angazhim zyrtar të një kryebashkiaku të një qyteti ndërkombëtar si Nju Jorku.

“Gjatë disa ditëve të ardhshme, kryebashkiaku Adams do të udhëtojë në Shqipëri, ku do të takohet me kryeministrin, me drejtues të bizneseve dhe teknologjisë, do të vizitojë fabrika dhe do të diskutojë mundësi të reja për të nxitur aktivitetin ekonomik dhe turizmin në qytetin e Nju Jorkut,” deklaroi Mamelak.

Ky udhëtim vjen në një moment delikat për Adams, i cili vetëm pak ditë më parë njoftoi se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë si kryebashkiak. Media amerikane ka spekuluar se ai mund të jetë në diskutime për një post ambasadori në administratën Trump, në këmbim të tërheqjes nga gara dhe për të penguar fitoren e kandidatit socialist Zohran Mamdani.

Vizita në Shqipëri mund të jetë një nga të fundit të tij në cilësinë e kryebashkiakut, në një mandat që u shënua nga akuza të forta për përfitime të pajustifikuara në udhëtime.

Adams i ka mohuar akuzat për përfshirje në korrupsion të lidhur me Turqinë dhe rasti i tij u pushua.

Edhe pse udhëtimi është zyrtar, Adams ka shprehur më parë një lidhje personale me Shqipërinë. Djali i tij, reperi Jordan Coleman, u bë i njohur për publikun shqiptar në vitin 2022, kur mori pjesë në versionin shqiptar të “American Idol” dhe publikoi disa këngë të frymëzuara nga udhëtimet e tij në Ballkan.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb