Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Barriera”, duke arrestuar një shtetas dhe sekuestruar 12 armë zjarri pistoleta me municion luftarak, në një tjetër rast të trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, gjatë një kontrolli në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës. Gjatë kontrollit të automjetit të tij tip “Volkswagen” u gjetën 10 pistoleta Glock me municion luftarak nën kofanon e makinës, ndërkohë që gjatë procedimeve të mëtejshme u sekuestruan edhe 2 pistoleta të tjerë Glock, duke e çuar totalin në 12 armë.
Nga hetimet rezultoi se armët do të shiteshin në zonën e Freskut.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të armëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
