Një shtetas ka mbetur i plagosur në njësinë Postribë në Shkodër pasi ka qëlluar veten aksidentalisht me një pistoletë që mbante pa leje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 24:00 në momentin e ndërrimit të viteve.

Një shtetas ka mbetur i vetëplagosur në njësinë Postribë në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 24:00 në momentin e ndërrimit të viteve. Një person në moshë të re është vetëqëlluar me armë zjarri në këmbë në mënyrë të pavullnetshme.

Gazetari Senad Nikshiqi ka raportuar për BalkanWeb se i riu menjëherë është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se i riu nga Postriba është vetëplagosur në këmbë por duke mos patur kështu rrezik për jetën.

Pas vetëplagosjes menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë duke nisur punën për hetimin e ngjarjes. Pas hetimeve paraprake policia vendore e Shkodrës ka arritur që të arrestojë personin që u vetëplagos i cili mbante me vete një armë zjarri pa leje. Arrestimi ka ardhur pasi i vetëplagosuri është detyruar që të shkojë në spitalin e Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore.

Shtetasi i vetëplagosur ka qenë në rrugë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Papritur arma e zjarrit pistoletë që mbante me vete është shkrepur duke marrë kështu plumbin në këmbë.

Policia e Shkodrës ka shoqëruar edhe personat e tjerë minoren që e shoqëronin të cilët deklaruan se i riu është vetëplagosur në mënyrë aksidentale. Policia është duke hetuar ngjarjen për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të saj për shkaqet që çuan në vetëplagosjen e të riut nga Postriba gjatë natës së ndërrimit të viteve kur të gjithë po festonin.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin S. P., 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për një shtetas të mitur 15 vjeç, për veprën penale “Plagosja nga pakujdesia”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se në fshatin Boks të njësisë administrative Postribë, shtetasi S. P., rreth orës 21:00 të datës 31.12.2022, ka shkuar afër një objekti kulti në fshatin Boks, me një armë zjarri pistoletë me vete, për të qëlluar në ajër.

Në këtë vend kanë qenë edhe 15-vjeçari dhe disa shtetas të tjerë të mitur. Shtetasi S. P. i ka dhënë armën e zjarrit 15-vjeçarit, që të qëllonte edhe ai në ajër.

Në momentin që shtetasi S. P. ka dashur t’ia marrë armën 15-vjeçarit, arma është shkrepur aksidentalisht edhe për pasojë është plagosur në këmbë shtetasi S. P.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje shtetasi S. P.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: