Kuvendi i Kosovës ka votuar mbrëmjen e djeshme formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit të ri qeverisës, i njohur si “Kurti 3”.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar krijimin e qeverisë së re dhe kryeministrin Kurti.

“Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti!

I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës.

Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.

Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë”, shkroi kreu i shtetit.

Me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi dje kabinetin qeverisës të udhëhequr nga Kurti, i cili do të ketë në përbërje 19 ministri.

Ky është mandati i tretë qeverisës i drejtuar nga Kurti, ndërsa Kosova kaloi rreth një vit pa qeveri funksionale për shkak të bllokadave politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb