Giovanni Chinnici, djali i gjyqtarit Rocco Chinnici, një prej gjyqtarëve që u vra me një makinë bombë nga mafia italiane, në një intervistë për Nisida Tufën në Neës24 ka rrëfyer rreziqet me të cilat përballej çdo ditë babai i tij, ndërsa luftonte me mafian.

Ai u shpreh se babai i tij ishte pioner i krijimit të grupit anti mafia, ndërsa ka sqaruar edhe marrëdhënien e Rocco Chinnicit me se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Pjesë nga intervista:

Sipas jush, çfarë e dallonte Rocco Chinnicin nga gjyqtarët e tjerë të kohës së tij?

Giovanni Chinnici: Kjo është një pyetje komplekse sepse në ato vite edhe nga një pjesë e magjistratëve nuk kishte një angazhim kundër mafies. Disa nuk kuptonin rrezikun aktual dhe të së ardhmes që përfaqësonte mafia, disa të tjerë e dinin, por nuk donin të ndërmerrnin rreziqe. Në këtë kuptim Rocco Chinnici ishte një pionier, edhe nën profilin e kurajos profesionale, sepse ai e kishte të qartë tashmë se mafia kishte krijuar një profil jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të dhunshëm. Dhe kështu që në detyrën e tij, fillimisht si gjykatës dhe më pas si drejtues i zyrës, ai nuk mund të tërhiqej nga ky detyrim civil dhe profesional që të kontrastonte në mënyrën më efikase të mundshme mafien. Në këtë kuptim, puna e tij në të vërtetë ishte ajo e një pionieri. Mbi të gjitha për krijimin e këtij grupi që u quajt “antimafia”.

Si e konceptonte ai drejtësinë dhe rolin e shtetit përballë mafies?

Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici quhej gjykatës, jo magjistrat, kështu që drejtësia për të ishte kjo vlerë që përbënte detyrën e tij institucionale. Ai ishte gjykatës dhe si gjykatës duhej të administronte drejtësinë. Drejtësia nuk e pranonte forcën e dhunës, në kontrast me fuqinë e demokracisë dhe të institucioneve. Pra angazhimi i tij institucional si gjykatës koincidonte me vlerat e drejtësisë që ai si gjykatës i administronte.

A mendoni se shoqëria italiane e ka vlerësuar plotësisht kontributin e tij sot?

Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici edhe në Itali është një magjistrat më pak i njohur se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Por kjo varet nga momenti kur të tre këta magjistratë u vranë, dhe të tre me të njëjtën mënyrë, me autobombë. Në 1983, kur u vra Rocco Chinnici, ishte atentati i parë me autobombë sepse magjistratë të tjerë apo policë ishin vrarë me pistoletë. Ndërsa për Rocco Chinnici për herë të parë u përdor një autobombë. Në 1983, akoma shoqëria italiane dhe ajo siciliane nuk e kishin kuptuar rrezikun e mafies dhe rëndësinë e rolit të magjistratëve. Kur 9 vjet më vonë u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, që kishin qenë dishepujt e Rocco Chinnicit, shoqëria ishte shumë më e pjekur, e kishte kuptuar se cila ishte rrezikshmëria e krimit mafioz, kështu që reagoi në mënyrë më të plotë, në mënyrë më të vetëdijshme dhe e kishte kuptuar shumë më mirë rëndësinë e punës që bënin këta magjistratë. Kështu që kishte një kuptim më të plotë të rolit që luajti Rocco Chinnici. Ndaj mbetet një figurë më pak e njohur se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Cili ishte raporti i tij me Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino?

Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici u bë drejtues i zyrës së instruksioneve në 1980. Në 1980, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino ishin dy gjykatës shumë më të rinj, ishin rreth 40 vjeç, në këtë moshë kur punon si gjykatës konsiderohesh i ri. Ai duhej të krijonte një grup magjistratësh dhe pikasi këta dy gjykatës të rinj. Paolo Borsellino ishte tashmë në zyrën e tij të instruksioneve, Giovanni Falcone jo, ishte në një tjetër zyrë. Të dy njiheshin, dhe Rocco Chinnici i propozoi Giovanni Falcones në zyrën e instruksioneve, në grupin antimafia, në grupin e magjistratëve që do të mbanin këtë detyrë të rëndësishme kundër mafies. Lind në 1980 ky grup magjistratësh që njihet ndryshe edhe si antimafia, që fillon këtë luftë të jashtëzakonshme, edhe pse dramatike, kundër mafies.

A mund të na shpjegoni rëndësinë dhe risinë e “grupit antimafia” që ai krijoi?

Giovanni Chinnici: Rëndësia është themelore për dy arsye. Para Rocco Chinnicit, të gjitha faktet që lidheshin me mafian në atë kohë — kujtojmë se kishte qindra vrasje mafioze në Palermo — trajtoheshin sikur ishin ngjarje të veçuara, jo të lidhura me njëra-tjetrën. Rocco Chinnici e nuhati që duheshin lidhur nga këndvështrimi i hetimit dhe drejtësisë, të gjitha këto ngjarje që ndodhnin, edhe pse mund të ishin në distanca territoriale me njëra-tjetrën. Ishte e domosdoshme të krijonte një grup gjykatësish që të mund të punonin bashkë, të ndanin mes tyre elementet investigative dhe ata të gjykimit. Dhe për këtë arsye krijoi një metodë gjykimi që ende sot është baza e luftës kundër krimit të organizuar, mafies, dhe jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën perëndimore. Pra metoda që Rocco Chinnici krijoi, metoda e specializimit, e punës në grup, është një mënyrë që sot po përdoret nga të gjithë magjistratët evropianë perëndimorë dhe në SHBA, që bazohet shumë te bashkëpunimi ndërkombëtar. Ka edhe një element tjetër: në ato vite, siç e thashë, mafia vriste magjistratët. Tjetra që nuhati Rocco Chinnici ishte të krijonte një grup që, nëse vritej një magjistrat, nuk kishin vrarë hetimet dhe procesin, sepse hetimi dhe procesi ishin të ndërthurura, të njohura nga të tjerët. Dhe kjo ishte një risi e madhe, sepse i pari “maxi proces’’ kundër mafies që filloi në 1986 në Palermo, nuk do të kishte lindur nëse nuk do të ishte ngritur grupi antimafia. Sepse hetimet u nisën nga Rocco Chinnici, por pas vrasjes së tij u vazhduan nga Giovanni Falcone e Paolo Borsellino.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb