Në Berat u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Arben Zylyftari, i cili humbi jetën 25-vjet më parë në krye të detyrës.
Në ceremoninë që u krye në sheshin “Republika” morën pjesë drejtues të lartë të Policisë se Beratit, drejtues të pushtetit vendor, familjarë të dëshmorit, efektivë të Policisë, miq e të afërm të tij.
Bashkëshortja e dëshmorit Arben Zylyftari, tha se pas 25 vitesh dhimbja në familje ështe e njejte, si ditën kur ndodhi ngjarja.
“Në këtë përvjetor të Arbenit kam zgjedhur të flas vetë pas 25 vitesh. Jo se nuk kam emocion, por kam mësuar që dhimbjen ta kthej në fjalë dhe kujtimin ta kthejmë në dritë. 25 vjet pas ditës së trishtë të 2 gushtit, për ne famljarët dhimbja është e njëjtë si atë ditë. Kujtimi i Benit është një kujtim jo vetëm për ne familjarët, është një trashëgimi për të gjithë punonjësit e Policisë që zgjodhën rrugën t’i shërbejnë me nder vendit”, tha ajo.
Koloneli Arben Zylyftar u vra më 2 gusht të vitit 2000, gjatë një operacioni për arrestimin e Behar Tafilit, që akuzohej për një vrasje.
Gjatë operacionit policia pati shkëmbim zjarri me Behar Tafilin dhe të birin Gencin,ku për pasojë humbi jetën Arben Zylyftari dhe Behar Tafili, ndërsa Genc Tafili u arrestua.
Ish kreu i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, Kolonel Arben Zylyftari, është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe është vlerësuar me titullin më të lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes, nga ish-presidenti Rexhep Mejdani.
(BalkanWeb)
