Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili fitoi mandatin në zgjedhjet e 11 majit, i ftuar në studion e News24 foli për zhvillimet e fundit politike në vend.

I pyetur për takimin që kishte në ambasadën amerikane, së bashku me deputetë të tjerë të rinj, Kapri tha se Partia Mundësia kërkon të bashkëpunojë ngushtë me ndërkombëtarët.

“Takimi ishte mbi pritshmëritë tona në raport me nisjen e punimeve të sesionit të ri parlamentar dhe takimi kishte të bënte me pritshmëritë tona në sesionin e ri dhe SHBA ka interes që opozita të jetë funksionale. Pa një opozitë të vërtetë, nuk mund të funksionojë demokracia. Njerëzit kanë pakënaqësi me korrupsionin e madh qeveritar në vend. Qeveria ka shpërndarë fondet e bujqësisë tek njerëzit e vet dhe fermerët përjashtohen nga grantet. “Mundësia” është parti e re dhe serioze, partneriteti me SHBA për ne është shumë i rëndësishëm, ne kemi pasur kontakte dhe me BE dhe me organizata të tjera”, tha Kapri.

Ai shtoi më tej se Shqipëria duhet të qeveriset ndryshe.

“Shqipëria duhet të qeveriset me model ndryshe. Njerëzit duhet të pasurohen në bazë të meritave dhe jo në bazë të vullnetit të qeverisë. Edhe për ndërtimet pa leje, qeveria ka shumë faj, pasi nuk ka bërë asgjë. Në Shqipëri fatkeqësisht po ecën një model, ku kryeministri ka kapur gjithçka. Ne kemi mbështetës kudo, ne kemi krijuar struktura lokale dhe gatishmëri për të garuar në zgjedhjet e afërta. Opozita gjithmonë kërkon zgjedhje dhe të japë më të mirën nga vetja. Në Shqipëri ka garë të pabarabartë dhe duhet të bëjmë gjithçka që gara të jetë e barabartë”, deklaroi ai.

Duke folur për draftin e Kodit të ri Penal, Kapri nënvizoi se disa nene në këtë Kod Penal duket sikur po amnistojnë korrupsionin.

“Mendoj se drafti ka një prapavijë për dy nene. Këta nene kanë ulur vitet e dënimit për korrupsion. Po ulet dënimi për korrupsion, që t’ja lidhë duart SPAK-ut. E shikoj si tentativë të maxhorancës për të amnistuar korrupsionin. SPAK duhet vlerësuar për masat që ka marrë, për arrestimin e disa politikanëve të rëndësishëm në vend si Erion Veliaj. Në fund të fundit, asnjë politikan në Shqipëri nuk ishte prekur. SPAK do të ketë mbështetje të madhe të popullit shqiptar, nëse do procedojë kryeministrin. SPAK meriton një lloj përgëzimi”, përfundoi Kapri.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: