Autori dhe moderatori i emisionit “Log.”, Endri Xhafo, i ftuar në studion e News24, ka folur për ndërprerjen e sinjalit të televizionit për disa ditë dhe më pas për uzurpimin e ambienteve ku operonin edhe mediat e tjera të grupit, si Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare.

“Ishte absurd i plotë. Publiku mendonte se News24 kishte hyrë në një pronë publike pa paguar, por në fakt televizioni ishte me kontratë të rregullt me shtetin. Madje, një ditë para se të ndodhte ndërhyrja, ishte emetuar fatura e muajit tjetër”, tha ai.

Duke e cilësuar ndërhyrjen një tentativë për ta nxjerrë me forcë televizionin nga godina, Xhafo theksoi se veprimi lidhej me projektin e ngritjes së një kompanie armatimesh.

“Unë si gazetar do ta pranoja një argument shtetëror madhor, por do të duhej negociuar koha. Të vish në orën 6:30 të mëngjesit, të fikësh dritat dhe gjeneratorët, vetëm që kamerat të mos tregonin atë që po ndodhte, kjo ishte një skenë e menduar. Ishte operacion policor për të thënë: News24 iku”, deklaroi ai.

Moderatori e krahasoi rastin me praktikat e përdorura në Rusi, duke shtuar se ndërkombëtarët, mes tyre edhe OSBE dhe organizata të shumta mediatike të huaja, kanë treguar solidaritet me stafin e News24.

“News24 nuk është thjesht një logo. Është një shërbim publik, është shumatorja e të gjithë njerëzve që punojnë për të”, përfundoi Xhafo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb