Përshkallëzohen tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa ushtria amerikane njoftoi se ka përdorur raketa Hellfire për të ndaluar një anije cisternë nafte në Ngushticën e Hormuzit, pasi ajo injoroi disa paralajmërime për të ndaluar.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), raketat goditën oxhakun e anijes Belma, me flamur të Curacao-s, duke e detyruar të ndalonte lëvizjen. Zyrtarët amerikanë thanë se anija po përpiqej të arrinte në ishullin Kharg dhe nuk po tranziton më në ujërat iraniane.
Ky veprim vjen në ditën e pestë të operacioneve ushtarake amerikane në rajon. Mbrëmjen e së mërkurës, forcat amerikane goditën gjithashtu sisteme të mbrojtjes bregdetare dhe pozicione raketash iraniane, ndërsa më herët kishin shënjestruar depo raketash lundrimi dhe objekte lëshimi në ishullin strategjik Grand Tunb, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sulme u raportuan edhe në zona të tjera të Iranit, përfshirë Teheranin, Ahvazin, Bandar Abbasin, Shirikun dhe Qeshmin. Nga ana tjetër, Irani reagoi me sulme ndaj objektivave në Bahrein dhe Kuvajt, megjithëse nuk janë raportuar viktima apo dëme të konsiderueshme në këto vende.
Autoritetet iraniane deklarojnë se sulmet e fundit amerikane kanë shkaktuar mbi 35 viktima dhe më shumë se 300 të plagosur.
Frika për rikthimin e luftës
Përshkallëzimi i fundit ka shtuar shqetësimet për një rikthim në një konflikt të hapur mes dy vendeve, vetëm pak ditë pasi armëpushimi mes palëve duket se është shembur.
CENTCOM deklaroi se sulmet kishin në shënjestër kapacitetet ushtarake iraniane që, sipas SHBA-së, përdoren për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Tensionet janë rritur ndjeshëm që kur Teherani njoftoi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz. SHBA rivendosi bllokadën detare ndaj Iranit, ndërsa Garda Revolucionare Islamike kërcënoi se do të pengojë eksportet e energjisë nga Lindja e Mesme.
Si pasojë e krizës, çmimi i naftës Brent u rrit mbi 85 dollarë për fuçi, duke reflektuar shqetësimet e tregjeve për sigurinë e furnizimeve globale.
Trump: Irani duhet të bëjë marrëveshje
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani “do të mposhtet së shpejti” dhe përsëriti se Teherani duhet të pranojë një marrëveshje.
Ai paralajmëroi gjithashtu se SHBA mund të zgjerojë operacionet ushtarake, duke përmendur mundësinë e goditjes së objektit nëntokësor “Pickaxe Mountain”, që lidhet me programin bërthamor iranian.
Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit mes dy vendeve nuk ka më vlerë nëse SHBA nuk respekton angazhimet e saj. Ai theksoi se Irani ndodhet në një “luftë ekzistenciale me Amerikën” dhe se siguria e vendit lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e Hormuzit.
Pavarësisht përshkallëzimit, Trump njoftoi se Irani ka liruar qytetaren amerikane Dena Karari, e cila mbahej në Iran që prej dhjetorit 2024. Presidenti amerikan e cilësoi lirimin si një “gjest vullneti të mirë”, ndërsa avokati i saj konfirmoi se ajo është nisur drejt Shteteve të Bashkuara.
