Një nga drejtuesit e shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Dilaver Goxhaj i ftuar në “Kjo Javë” ka kujtuar momentin më historik të luftës në Kosovë, ndërhyrjen e forcave të NATO-s.

Goxhaj tha se ka qenë ai që ka komunikuar me kryetarin e vëzhguesve ndërkombëtarë i cili u përzu nga Kosova prej Millosheviçit.

“Në datën 23 në orën 4 na bie telefoni dhe na merr shefi i shërbimit informativ i prefekturës së Kukësit, atje kishin shkuar disa oficerë amerikanë.

Na thonë se do ju marrin në telefon. Në këtë kohë na merr Hashimi nga Brukseli dhe na thotë se sonte NATO do të nisë luftën me aviacion”, kujton Goxhaj.

Më tej ai vijon me kujtimet duke rrëfyer se si u bë koordinimi me forcat e NATO-s që sulmuan ushtrinë serbe.

Si një nga personat që kishte njohuri në anglisht por dhe ushtarak, Dilaver Goxhaj tregoi se u caktua nga shtabi të ishte kordinator me NATO-n për sulmet që Aleanca do të kryente.

Ky bashkëpunim shkoi shkëlqyeshëm dhe kjo u tregua përmes një letre mirënjohjeje që komandanti i forcave të NATO-s Wesly Clark i dërgoi shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Dilaver Goxhaj: Në datën 23 në orën 4 na bie telefoni dhe na merr shefi i Shërbimit Informativ i Prefekturës së Kukësit, atje kishin shkuar disa oficerë amerikanë. Na thonë se do ju marrin në telefon. Në këtë kohë na merr Hashimi nga Brukseli dhe na thotë se sonte NATO do të nisë luftën me aviacion.

Na merr Ramë Guca dhe na thotë porositë e amerikanëve. Kryetari i vëzhguesve ndërkombëtarë që u përzu nga Millosheviçi.

Fola me të dhe më dha udhëzimi që sonte do të fillojë bombardimi dhe na dha porosi. Do veprojmë me radhë, kur ta ketë radhën aviacioni turk, francez, do ju lajmërojmë 5 minuta.

Do t’i largoni forcat tuaja jo më larg se 2 mijë metra larg.

Ky është momenti që do të fillonin marrëdhëniet me SHBA.

I kam bërë 3 letra Wesly Klark. Në fillim NATO i goditi në Serbi, dhe depot e tyre në Kosovë, por jo forcat e tyre dhe ata reagonin.

Në qershor kur mbaroi lufta, Wesly Klark na ka shprehur mirënjohje duke na shkruar: “Ju faleminderit shumë për bashkëveprimin, bashkëveprimi më i mirë në historinë 50-vjeçare të NATO-s”.

Këtë lëndë e kisha dhënë mësim bashkëveprimi mes aviacionit dhe forcave tokësore. Kjo ma bëri qejfin shumë, jo se mburri mua, por mburri Akademinë Ushtarake të Shqipërisë. Akademia jonë ishte më e mirë se e vendeve të NATO-s. Kjo ishte UÇK-ja, kur komandanti i NATO-s vlerëson bashkëveprimin, ndërsa këta thonë ishte luftë guerrilase sepse nuk pamë një gjeneral.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb