Udhëheqësi i ri i Iranit është vendosur në aparate për mbajtje në jetë dhe nuk është në gjendje të marrë frymë pa ndihmën e tyre, shkruan gazeta The Sun.

Mojtaba Khamenei, i cili u shpall udhëheqës suprem i shtetit vetëm 8 ditë më parë, thuhet se u gjymtua gjatë sulmit ajror ku u vra i ati dhe tani ndodhet në ventilator në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali. Sipas raportimeve, 56-vjeçari ndodhet në gjendje kritike.

Një burim i The Sun me lidhje me spitalin ku po trajtohet tha javën e kaluar se ai ishte në koma, kishte humbur të paktën një këmbë dhe kishte plagë të mundshme në mëlçi dhe në stomak. I njëjti burim ka thënë sot se gjendja e tij është përkeqësuar dhe se ai po mbahet gjallë vetëm nga makineritë. Sipas burimit, “truri i tij është në një nivel shumë të ulët ndërgjegjeje dhe zemra e mushkëritë po funksionojnë vetëm sepse janë të lidhura me aparate për mbajtje në jetë. Ai do të kishte vdekur pa ventilatorin.”

Besohet se Mojtaba Khamenei u plagos rëndë në të njëjtin sulm që vrau babanë e tij, udhëheqësin suprem të Iranit Ali Khamenei, 86 vjeç, gruan e Mojtabës dhe djalin e tyre 8 vjeçar.

Burime të shumta pretendojnë se është Garda Revolucionare që po drejton veprimet ushtarake të Iranit.

Mojtaba Khamenei nuk është parë publikisht që nga zgjedhja e tij dhe ka lëshuar vetëm një deklaratë kundër armiqve të Iranit, e cila u lexua nga një prezantuese e televizionit shtetëror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb