Udhëheqësit e Francës, Italisë, Gjermanisë, Britanisë, Kanadasë, Danimarkës, Holandës, Spanjës dhe Bashkimit Evropian mirëpritën të mërkurën armëpushimin SHBA-Iran dhe kërkuan një “përfundim të shpejtë dhe të qëndrueshëm” të luftës.
“Qëllimi tani duhet të jetë negociimi i një përfundimi të shpejtë dhe të qëndrueshëm të luftës brenda ditëve në vijim. Kjo mund të arrihet vetëm përmes mjeteve diplomatike”, thuhej në një deklaratë të përbashkët.
Udhëheqësit thanë se inkurajuan “përparim të shpejtë drejt një zgjidhjeje thelbësore të negociuar” për të mbrojtur civilët, për të siguruar sigurinë rajonale dhe për të shmangur një krizë globale energjetike.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë armëpushimin, përfshirë edhe në Liban”, thanë ata.
Izraeli ka thënë se Libani nuk ishte përfshirë në armëpushimin SHBA-Iran .
Armëpushimi dyjavor midis Uashingtonit dhe Teheranit filloi të mërkurën herët, por bisedimet midis palëve priten në Pakistan të premten.
Deklarata u botua në emër të kryeministres italiane Giorgia Meloni, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz, kryeministrit britanik Keir Starmer, kryeministrit kanadez Mark Carney, kryeministres daneze Mette Frederiksen, kryeministrit holandez Rob Jetten, kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa.
